Si ndihmon SHK-ja

Fermerët, natyrisht, dëshirojnë një sërë shërbimesh nga një shërbim këshillues dhe përkrahës. Përveç nëse shërbimi këshillues vendos të kufizojë përkrahjen e saj në shërbime shumë specifike dhe i bënë këto kufizime të njohura për tërë sektorin, fermerët mund dhe do të kërkojnë ndihmë pothuaj për gjithçka. Kështu që SHK-ja në kuadër të MBPZHR-së do të ofrojë:

  • Reagime të shpejta dhe shumë të kufizuara për pothuaj secilin klient;
  • Përkrahje më të thellë për të zgjidhur një problem të caktuar ose për të ndjekur një mundësi (rast) të caktuar që kërkohet nga klienti.
  • Përkrahje të zgjeruar për klientët e përzgjedhur të cilët mund të jenë shumë afër depërtimit sa i përket teknologjisë, kulturave bujqësore/blegtorisë, ose tregut.

Edhepse palët e interesuara të SHK-së nuk janë vetëm fermerët, prapë fermerët duhet gjithmonë të shikohen si klientë primarë. SHK-ja gjithashtu pranon kërkesa nga këshilltarët, personat përgjegjës për politikat, planifikuesit, hulumtuesit, raportuesit, edukatorët dhe studentët.

Nevoja që një shërbim këshillues të përkrahë zhvillimin rural në Kosovë rrjedh nga pjesa në vazhdim:

  • Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme rurale në sektorin e bujqësisë janë duke u shfaqur si nisma vetanake. Kjo do të krijojë vende pune dhe mundësi për krijim të të ardhurave.
  • Ndërmarrjet e suksesshme rurale varen nga këshillat e mira. Këshillat dhe trajnimi i ofruar duhet të bazohen në kërkesën e klientëve, përndryshe ato nuk do të jenë të qëndrueshme.
  • Shumë fermerë të vegjël nuk kanë mundësi të ndryshojnë praktikat e tyre prodhuese, kështu që ata e kanë të vështirë për të krijuar fitim. Mundësitë për të krijuar burime alternative të të hyrave duhet të prezentohen për të thyer ciklin me aplikimin e teknologjive të reja. Në këtë kontekst, do të mund të promovoheshin dhe zhvilloheshinprodhimet e specializuara, përfshirë barishtet, çajërat, pemët manore, mjaltin dhe këpurdhat.
  • Deficiti i lartë tregtar në Kosovë është një problem kryesor që dëmton ekonominë vendore dhe sektorin rural. Mesatarisht vetëm 54% e kërkesës për grurë është përmbushur nga prodhimi vendor në 10 vjetët e fundit. Prodhuesit e grurit, që përdorin metoda tradicionale, së pari e sigurojnë grurin për nevoja familjare e pastaj tregtojnë tepricën. Luledielli ka qenë kultura kryesore vajore. Megjithatë, për shkak të mundësive të kufizuara të tregut për fermerët, prodhimi i lulediellit në Kosovë ka rënë. Tani duhet ndjekur politikat përkatëse ekonomike që janë të përqëndruara në kreditë rurale, në zhvillimin e agrobizneseve, promovimin e eksportit dhe rritjen e aftësive konkurruese.
  • Pengesa kryesore me të cilën ballafaqohet sektori i qumështit është cilësia e dobët e tij. Për më tepër, numri i blerësve (përpunuesve) të qumështit është i ulët, që dmth. se prodhuesve u ofrohen çmime të ulëta. Sasi të mëdha të qumështit pluhur dhe të prodhimeve të qumështit me pakicë importohen, një pjesë e së cilës vjen nga tregjet që subvencionohen. Pjesë përbërëse e problemit është madhësia e vogël e kopeve (tufave) qumështore dhe vendndodhja e tyre e shpërndarë që ka si rrjedhojë çmimin e lartë të grumbullimit të qumështit. Themelimi i qendrave për grumbullimin e qumështit është i nevojshëm për të përmirësuar gjendjen e tregtimit.
  • Zinxhiri tregtues për vezë të freskëta është relativisht i shkurtër, ndërsa vezët edhe tani mund të gjenden në treg. Vezët e freskëta po importohen mirëpo, pa ndonjë testim përkatës në kufi (doganë) për të përcaktuar afatin e tyre të qëndrueshmërisë dhe nëse janë duke u shitur në tregun e Kosovës në formë dampingu. Industria e brojlerëve (zogjëve) është ende e vogël.
  • Industria e mishit, në radhë të parë, është një mesprodukt i industrisë së qumështit. Prodhuesit i furnizojnë tregtarët në tregjet rurale të bagëtive të cilat punojnë çdo javë. Raportohet që një numër i madh i kafshëve të painspektuara për therrje hyjnë në Kosovë duke dëmtuar në këtë mënyrë çmimin në tregjet lokale.
  • Prodhuesit e pemëve dhe perimeve parapëlqejnë të shesin prodhimet e tyre pas vjeljes në tregun e prodhimeve të freskëta. Nëse ata dështojnë t’i shesin prodhimet e tyre në tregun e prodhimeve të freskëta, atëherë i dërgojnë ato te fabrikat përpunuese, atje ku kjo është e mundshme. Objektet deponuese janë dobët të dizajnuara dhe nuk janë të mjaftueshme për të gjitha nevojat. Klasifikimi i prodhimeve dhe standardet nuk ekzistojnë në tregtinë me shumicë dhe atë me pakicë. Ekziston nevoja për paketim përkatës, kontrollim të cilësisë, furnizim të rregullt dhe në përputhje me nevojat.