Parathënie për projektin SASS

Përforcimi i shërbimit për këshillëdhënie dhe përkrahje’ (SASS) është projekt i financuar nga Bashkësia Evropiane dhe i menaxhuar nga Agjensia Evropiane për Rindërtim (AER). Ky projekt ka filluar në nëntor të vitit 2003 dhe do të zgjasë dy vjet.

Projekti SASS përkrah ministrinë e Kosovës për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural (MBPZHR-në) në identifikimin e qasjeve përkatëse për zhvillim rural dhe ndihmon komunitetet që mirren me bujqësi të ndërtojnë anët e tyre të forta, të realizojnë potencialin e tyre dhe të mbështesin shërbimin për këshillëdhënie dhe ekstenzion.

Qëllimet e politikës së MBPZHR-së për sektorin rural nënvizojnë nevojën për të shikuar përtej ndryshimeve teknike në bujqësi duke theksuar mandatin e saj rural dhe bujqësor si dhe duke përcaktuar prioritetin e funksionit të rezervuarit të punësimit në sektorin rural. Për më tepër, për të theksuar kontributin e pritur nga shërbimet këshilluese, shërbimi këshillues dhe përkrahës (SHK) do të adresojë këto qëllime zhvillimore të shumëfishta dhe të ndërlikuara.

MBPZHR e kupton dhe e pranon që roli i shërbimit këshillues dhe përkrahës është përhapja e informatave dhe teknologjive përkatëse për të shtuar produktivitetin dhe aftësinë konkurruese të bizneseve rurale dhe prodhuesve bujqësorë.

Misioni i projektit SASS në bazë të kësaj është përforcimi i shërbimeve për këshillëdhënie dhe ekstenzion të ofruara për fermerët dhe komunitetet rurale nëpër tërë Kosovën.

Struktura e projektit përmban katër komponente të ndërlidhura, secili brenda outputeve të veta të parashikuara, siç planifikohet në seksionet në vijim:

a) Strategjia për shërbimet përkrahëse

Këtu projekti do të ndihmojë MBPZHR-në në fushat në vijim:

  • në identifikimin e kërkesave të shërbimit këshillues dhe përkrahës në kuadër të strategjisë së përgjithshme të MBPZHR-së;
  • në shfrytëzimin e plotë të aftësive dhe njohurive të komunave si dhe të stafit të MBPZHR-së;
  • në definimin e synimeve reale dhe të qëndrueshme për t’u përmbushur;
  • në identifikimin e institucioneve dhe grupeve lokale më përkatëse për të zbatuar ndërtimin e kapaciteteve dhe aktiviteteve trajnuese.

Si rrjedhojë, do të themelohet një sistem i koordinuar, i rrjetëzuar dhe i qëndrueshëm në tërë Kosovën për ofrimin e shërbimeve këshilluese dhe përkrahëse për fermerët dhe komunitetet rurale.

b) Programi për ngritjën e kapaciteteve

Një program përkatës për ngritjën e kapaciteteve për t’i mundësuar stafit të MBPZHR-së dhe këshilltarëve për bujqësi në nivel komunal që në mënyrë efikase të ofrojnë shërbime të përshtatshme këshilluese dhe përkrahëse, është duke u zbatuar. Kjo bëhet për të përgatitur këshilltarët e MBPZHR-së dhe komunave që të ofrojnë shërbime këshilluese për fermerët që mundohen të rrisin produktivitetin primar bujqësor. Gjithashtu do të ndihmojë ata që kërkojnë strategji alternative të gjenerimit të të hyrave në zhvillimin e kushteve të jetesës, përfshirë këtu edhe/ose aktivitetet alternative jashtë sektorit bujqësor.

Në këtë kontekst, janë themeluar, dhe tani janë operacionale, qendrat trajnuese në Pejë, Prizren, Lypjan, Mitrovicë dhe Zveçan.

c) Promovimi i sistemeve vetëndihmuese (Self-Help Systems)

Promovimi i grupeve vetëndihmuese është një element kyç i strategjisë për zhvillim rural në Kosovë. Në kuadër të kontekstit të zhvillimit të shërbimit këshillues, projekti SASS ka identifikuar nevojën e promovimit të grupeve të tilla me qëllim të rritjës së reagueshmërisë së sistemit këshillues. Kjo gjithashtu do të ndihmojë nismat vetëndihmuese të fermerëve dhe komuniteteve rurale përmes mobilizimit të një ekipi të trajnuar këshillues.

d) Menaxhimi i informatave

Projekti SASS është duke themeluar “Sistemin për menaxhimin e informatave” për të zhvilluar, mbledhur dhe përhapur një varg përvojash nga praktikat më të mira bujqësore dhe informatat që gjenden në MBPZHR, në qendrat trajnuese, tek zyrtarët e komunave për bujqësi dhe projektet tjera të mbështetura nga donatorët. Demonstrimet e risive të caktuara të interesit, qofshin ato lidhur me prodhimin bujqësor, zhvillimin e grupeve/komuniteteve rurale apo agrobizneseve, natyrisht mund të ndërmirren në kuadër të këtyre fushave të shërbimit këshillues. Ky sistem përfshin këtë web faqe bashkë me bazën e të dhënave për këshilltarët të bashkangjitur për të mundësuar identifikimin e shpejtë të intervenimeve dhe stafit përkatës.