Ofruesit e shërbimeve

Shërbimet këshillimore bujqësore rurale në Kosovë ofrohen përmes  DSHKT, komunave dhe një rrjeti organizatash publike dhe private, përfshirë OJQ-të, shoqatat e fermerëve, etj.  Strategjia e DSHKT-së është të veprojë si një depo qendrore për informata rreth një varg temash të ndërlidhura me bujqësinë dhe zhvillimin rural.  DSHKT–ja ka përgatitur një strategji për Shërbimin këshillimor bujqësor rural te Kosovës e cila propozon delegimin e të gjitha aktiviteteve të ndërlidhura me zhvillimin e shërbimeve këshilluese tek Qendrat informative komunale ne te gjitha komunat e Kosovës dhe te ofruesit privat të këshillave në nivel komunal.

Shërbimi Këshillues i MBPZHR-së

Shumica e ofruesve të këshillave bujqësore ose ndodhen në MBPZHR (në nivel qendror) ose në komuna.  Gati të gjitha komunat kanë një Qendër Informative Këshilluese (QIK) të bujqësisë ku në secilën prej tyre janë të punësuar zyrtarë për bujqësi.

MBPZHR ka zyrën koordinuese qendrore (DSHKT). Përveç kësaj, të gjitha departamentet teknike të MBPZHR-së, kanë porosi këshilluese të gatshme për t’i ofruar.

DSHKT është e organizuar ne tri divizione ku secili ka detyrat e veta dhe ndërlidhen me QIK e te gjitha komunave. Qendrat informative do të jenë drejtpërdrejt të lidhura me DSHKT-në në nivel qendror, ndërsa këshilltarët fushorë në nivel komunal do të pajisen me informata dhe këshilla që ata t’i përcjellin tek popullsia që merret me bujqësi.

Ofruesit privat të shërbimeve këshilluese

Ofruesit privatë të shërbimeve këshilluese do të zgjedhën  prej OJQ-ve, përpunuesve, prodhuesve, ekspertëve vendorë, nga trajnimi dhe institucionet bujqësore, po ashtu do te behet certifikimi i tyre sipas udhëzimit administrativ për certifikim i cili bazohet ne ligjin për shërbimet këshillimore.

SHK-ja gjithashtu do të promovojë krijimin e QIK për të rritur pjesëmarrjen e fermerëve si edhe për të përmirësuar kapacitetin dhe efikasitetin e shërbimeve të ofruara. QIK do të përmirësojnë qasjen e fermerëve në informata dhe shërbime si edhe do të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve private këshilluese të ofruara.