Carrots-Sept-30

DËMTUESIT E KAROTËS

miza e karotës (Psila rosae)

Është dëmtuesi më i rëndësishëm në vendin tonë për karotën i cili prek edhe kulturat tjera. Dëmet nga ky dëmtues konsistojnë në hapjen e korridoreve gjatë të ushqyerit të larvës brenda rrënjëve të karotës ku edhe i mbushin ato kanale me jashtëqitjet e tyre. Rrënjët e prekura humbin edhe në kualitet ku ato marrin erë të keqe dhe shije të idhët dhe nuk janë të përshtatshëm për përpunim. Bimët e prekura nga ky dëmtues lehtë dallohen në fushë sepse gjethet kanë ngjyrë manushaqeje të cilat më vonë zverdhen dhe thahen.

Dëmtuesi formon dy gjenerata brenda vitit. Pas çeljes së vezëve dalin larvat të cilat menjëherë futen në brendi të rrënjëve të karotës ku edhe ushqehen. Një numër mjaft i madh i larvave ngelin në tokë edhe pas vjeljes së karotës kurse një numër i vogël jep gjeneratën e dytë të këtij dëmtuesi.

Masat e luftimit

Qarkullimi bimor katër vjeçar si dhe asgjësimi i mbeturinave bimore janë nga masat agroteknike të cilat japin rezultatet të mira në zvogëlimin e humbjeve të karotës nga ky dëmtues.

Nga preparatet kimike mund të përdoren insekticidet granulare sikurse janë: Dursban G-7.5, Volaton G-5, Volaton G-10. Gjatë vegjetacionit mund të përdoren insekticidet sikurse janë: Basudin 40, Rogor 40, Chromogor 40, etj.

Morri i gjetheve të karotës (Cavariella aegopodii)

Është dëmtues mjaft i përhapur në vendin tonë i cili përveç karotës prek edhe kultura tjera nga familja e karotës. Bimët e prekura kanë gjethe të deformuara dhe me ngjyrë të verdhë apo të kuqrremtë. Bimët e prekura ngecin në rritje dhe mund të vdesin nëse prekja dhe sulmi është i rëndë. Insektet e rritura dhe larvat e tyre me aparatin gojor për shpuarje dhe thithje nxjerrin materiet ushqyese nga lëngjet bimore të karotës të cilat i marrin për rritjen dhe zhvillimin e tyre. Përveç dëmeve të drejtpërdrejta gjatë të ushqyerit ky dëmtues bën edhe transmetimin e sëmundjeve virusale nga bimët e sëmura në ato të shëndosha.

Dimëron në fazën e vezës rreth sythave të shelgut prej nga kalojnë në kulturën e karotës. Zhvillimit të këtyre dëmtuesve i kontribuon koha e nxehtë dhe e thatë pa reshje. Brenda vitit formojnë një numër të madh të gjeneratave.

Masat e luftimit

Masat agroteknike sikurse janë zënja e insekteve përmes trapoleve ngjitëse luan rol në zvogëlimin e numrit të këtyre dëmtuesve.

Nga preparatet kimike përdoren insekticidet me veprim sistemi sikurse janë: Rogor, Sistemin, Metasistox, Anthio, Actellic, Decis, Pirimor, Karate etj.

Nematoda e karotës (Heterodera carotae)

Insekti i rritur (femra) ka trup në formë të limonit me përmasa trupore 0,21-0,86 mm. Femrat formojnë në fund të trupit të tyre një qese (cistë) të madhe në të cilën vendos një numër të madh të vezëve. Femra ka ngjyrë të bardhë kurse cista ngjyrë tëmbyllët gati të zezë. Meshkujt kanë formë krimbi madhësi trupore 1,0-1,2 mm kurse larvat e moshës së dytë 0,37-0,45 mm.

Dëmtuesi paraziton në rrënjët e karotës. Bimët e prekura ngecin në rritje kurse në gjethe paraqiten njolla me ngjyrë të verdhë në të kuqrremtë. Si rezultat i prekjes karota deformohet, frutë-rrënjori drunjëzohet dhe degëzohet në disa pjesë duke bërë që vlerat tregtare dhe përpunuese të ulet. Larvat dalin nga veza dhe menjëherë depërtojnë në brendi të rrënjëve ku kalojnë zhvillimin e tyre. Përafërsisht pas katër javëve zhvillohen femrat të cilat përforcohen për rrënjët e karotës kurse meshkujt kalojnë në tokë ku lëvizin lirshëm. Dëmtuesja brenda vitit formon dy gjenerata.

Masat e luftimit

Nga masat agroteknike rekomandohet qarkullimi bimor së paku katër vjeçar si dhe mbjellja e varieteteve imune ndaj këtij dëmtuesi.

Nga preparatet kimike rezultatet më të mira në luftimin e nematodes së karotës arrihen përmes fumigimit të tokës e cila bëhet me namatocide sikurse janë Basamidi dhe preparate tjera. Basamidi përdoret në dozë prej 40-60 gr/m2.

Dëmtuesit e tjerë të cilët prekin karotën por me intensitet më të vogël janë:

  • Krimbat tel (Elaterdae),
  • Krimbat e bardhë (Scarabaideae),
  • Morrat e bimëve (Aphididae),

 

Sëmundjet e karotës

Kalbëzimi i bardhë (Sclerotinia sclerotiorum)

Sëmundja ndryshe quhet edhe si “Kalbëzimi i butë apo kalbëzimi i bardhë”, dhe shkaktohet nga kërpudha Sclerotinia sclerotiorum. Është patogjen i rëndësishëm i cili paraqitet në fushë, por zhvillohet edhe në fryte të deponuara në depo Përveç karotës prek edhe kulturat tjera sikurse janë: luledielli, fasulja, lakra, pjepri kungulli domatja etj.

Është sëmundje e cila prek bimët e dobësuara gati në të gjitha fazat e zhvillimit. Njollat e para të sëmundjes shfaqen në qafën e kërcellit të bimëve me ngjyrë të mbyllur të zbutura. Në pjesët e infektuara shfaqet një shtresë e bardhë si pambuku me disa kokërza të zeza. Si pasojë e prekjes bimët vyshken, kanë gjethe të verdha dhe thahen. Sëmundja shfaqet edhe në rrënjën e karotës e cila mbulohet me shtresën e bardhë të micelit të patogjenit. Patogjeni prek edhe karotën e deponuar në depo në formë të një shtrese të dendur të bardhë të micelit me sklerot të cilët kanë ngjyrë të zezë.

Patogjeni dimëron në mbeturinat bimore ose në pjesët e gjalla bimore. Sëmundja paraqitet në pranverë duke formuar organet e riprodhimit të cilat përhapen përmes erës duke shkaktuar infeksionin e bimëve të karotës. Temperatura mesatare 16-22 ° C, lagështia e lartë e tokës dhe e ajrit favorizojnë zhvillimin e sëmundjes.

Masat e luftimit

Qarkullimi bimor tre vjeçar me drithëra si dhe baroja foragjere, ndihmon në zvogëlimin e potencialit infektues në tokat e infektuara me këtë patogjen. Në rast të infeksionit të bimëve duhet të bëhet shkulja dhe zhdukja e tyre në mënyrë që të pengohet formimi i organeve të konservimit të cilat ruajnë aftësinë infektuese disa vjet. Depot dhe mjetet e punës duhet të dezinfektohen.

Nga preparatet kimike për luftimin e patogjenit mund të përdoren preparatet në bazë të benzimidazolit dhe botriticideve (Ronilan, Rovral, Sumilex etj.).

Njollosja e zezë e karotës (Alternaria dauci)

Kërpudha Alternaria dauci infekton karotën, selinon, majdanozin etj. Patogjeni prek bimët e reja para dhe pas mbirjes. Njollat e para në bimët e moshuara duken në pjesën bazale të kërcellit ndërkaq shenjat tjera shfaqen edhe në pjesët mbitokësore të bimëve në formë njollash me ngjyrë të zezë. Në gjethet e vjetra formohen njolla nekrotike kurse bimët e infektuara në fushë kanë ngjyrë të verdhë dhe janë të deformuara. Patogjeni bartet përmes farës së infektuar ndërkaq në tokë mund të qëndroj në mbeturinat bimore në tokë për një periudhë deri gjashtë vite.

Masat e luftimit

Rekomandohet qarkullimi së paku katër vjeçar. Mbledhja dhe zhdukja e mbeturinave bimore për zvogëlimin e potencialit infektues të patogjenit. Të përdoret farë e shëndoshë dhe e trajtuar me fungicide në bazë të tiramit.

Për trajtimin e bimëve gjatë vegjetacionit përdoren preparatet në bazë të iprodionit në përqendrim 0.3 % por edhe preparatet në bazë të propinebit. Trajtimin duhet bërë kur të jetë infektuar rreth 1-2 % e sipërfaqes së gjethit.

Vyshkja e karotës (Pythium spp.)

Është sëmundje mjaft e përhapur e cila shkakton dëme të mëdha te karota. Këtë sëmundje e shkakton kërpudha patogjene Pythium spp. e cila jeton në tokë prej ku edhe shkakton infektimin e bimëve. Patogjeni bën pjesë në grupin e kërpudhave që prek numër të madh bimësh të shumë familjeve dhe gjinive. Shenjat e sëmundjes të shkaktuara nga ky patogjen janë të ndryshme varësisht nga faza e zhvillimit të karotës. Në tokat e infektuara fara e karotës kalbet në tokë dhe bimët e tilla nuk mbijnë. Në fidanë të infektuar shfaqen njolla me ngjyrë të mbyllë, me pamje si të lagura duke u zgjeruar dhe përfshirë pjesën më të madhe të indit bimorë. Bimët e prekura shumë lehtë rrëzohen për tokë sepse indi i prekur nuk ka elasticitet të duhur. Në rrënjë simptomi kryesor është ndarja e rrënjëve në shumë rrënjë, rrënjët e tilla nuk kanë vlerë tregtare. Degëzimi i rrënjëve për shkak të sëmundjes bën që rrënjët e tilla të mos mundë të përpunohen. Është patogjen serioz në tokat me përmbajtje të lartë të materies organike.

Masat e luftimit

Rekomandohet qarkullimi bimorë së paku tri vjeçar për të zvogëluar potencialin infektues të këtij patogjeni në tokë. Shmangja e tokave me lagështi të madhe herët gjatë vegjetacionit gjithashtu do të ndikoj në zvogëlimin e infeksioneve të karotës e me këtë edhe në humbjet më të vogla të karotës nga ky patogjen. Për mbjellje duhet të përdoret farë e shëndoshë dhe e trajtuar me fungicide.

Gjatë vegjetacionit mundë të përdoren preparatet kimike sikurse janë: Radocindeb, Zineb S-80, Bavistin, Previcur 607, etj.

Sëmundje tjera të karotës por me intensitet më të vogël janë:

  • Njollosja e kaftë e karotës (Septoria daucina),
  • Rizoktonia e karotës (Rhizoctonia carotae),
  • Njollosja e gjetheve të karotës (Cercospora carotae),
Posted in BALLINA, Perime.