20141109230341500577

DËMTUESIT E FASULËS

Buburreci i fasules (Acanthoscelides obtectus)

Është i përhapur në tërë vendin dhe paraqet dëmtuesin më të rrezikshëm të fasules dhe bishtajoreve tjera. Insekti i rritur ka madhësi rreth 5 mm, me trup ngjyrë kafe. Krahët nuk e mbulojnë në tërësi trupin e insektit dhe janë të mbuluara me push ku vërehen edhe disa njolla me ngjyrë të bardhë në të përhimët. Femra depoziton nga një vezë në fasulen e cila gjindet në depo apo kur ajo të jetë pjekur në fushë. Larvat e sapo çelura depërtojnë në kokrra të fasules ku ushqehen dhe tërë zhvillimin e tyre e kryejnë aty.

Në vendin tonë ky dëmtues formon 3-4 gjenerata brenda vitit.

Dëmet i shkaktojnë larvat të cilat plotësisht e shkatërrojnë brendinë e kokrrave duke u ushqyer dhe duke e mbushur me jashtëqitje të tyre. Në një kokërr të fasules mund të gjinden deri 30 larva. Në kokrrat e dëmtuara poashtu vërehen vrima prej nga kanë dalë insektet e rritura. Si rezultat i prekjes së kokrrave të fasules nga ky dëmtues zvogëlohet kualiteti dhe pesha e kokrrave. Kokrrat e tilla nuk përdoren për të ushqyerit e njeriut dhe si të tillë nuk duhet ti jepen as kafshëve për arsye se mund të shkaktojnë çrregullime në stomakun e tyre. Varësisht nga shkalla e prekjes së fasules dëmet mund të jenë edhe deri 80 % të rendimentit te kjo kulturë.

Masat e luftimit

Luftimi në fushë bëhet menjëherë sapo të vërehen prekjet në bishtaja nga ky dëmtues me preparatet sikurse janë: Radotion, Actellic 50, Fenitrotion, Malation, Ultracid, etj. Në depo duhet mbajtur higjienën e duhur, rregullimin e temperaturës dhe lagështisë si dhe duke bërë fumigimin e depove ku deponohet fasulja.

Morri i gjelbër i fasules (Acyrthosiphon pisum)

Insekti i rritur ka përmasa trupore 3-6 mm me ngjyrë të verdhë të gjelbër. Trupi i tyre nuk ka ndonjë njollë ndërkaq posedojnë antena dhe sifone të gjata. Është i përhapur kudo ku kultivohet fasulja por prek edhe kultura tjera bujqësore sikurse janë jonxha, bizelja, etj. Dëmet i shkaktojnë insektet e rritura me aparatin gojor për shpurje thithje ku nxjerrin lëngjet nga indet bimore të cilat i shfrytëzojnë për rritjen dhe zhvillimin e tyre. Dëmet janë sidomos të mëdha si rezultat i transmetimit të sëmundjeve virusale te fasulja, ku humbet vlera e fasules sidomos asaj për farë.

Ky dëmtues ka zhvillim të plotë dhe në këtë drejtim dimëron në fazën e vezës në afërsi të qafës së rrënjës te bishtajoret shumëvjeçare (jonxha, tërfili, etj.). Në pranverë nga veza dalin insektet e rritura të cilat i shkaktojnë dëme fasules. Ky dëmtues ka potencial të lartë të shumëzimit kështuqë në kushte të volitshme klimatike brenda 10 ditëve jep një gjeneratë. Brenda vitit mund të jep deri 20 gjenerata.

Masat e luftimit

Nga masat agroteknike rëndësi të veçantë në luftimin e këtij dëmtuesi kanë luftimi i barojave të këqija si dhe zënja e insekteve të rritura me kurthe të ndryshme.

Nga preparatet kimike gjatë vegjetacionit përdoren insekticidet me veprim sistemi sikurse janë: Rogor, Sistemin, Metasistox, Anthio, Actellic, Decis, Pirimor, Karate, etj.

Hundëgjati i fasules (Sitona spp.)

Insekti i rritur ka trup të gjatë rreth 5 mm dhe me aparat gojor të zgjatur nga e ka marrë emrin. Është i përhapur mjaft shumë në vendin tonë ku edhe i sjell dëme të konsiderueshme fasules. Dimëron insekti i rritur në sipërfaqet e mbjellura me jonxhë, fasule dhe bishtajore tjera. Herët në pranverë paraqiten insektet e rritura të cilat ushqehen me fasule. Në bimët e reja të fasules grimcojnë pjesët e skajshme të gjethit deri te nervatura kryesore e sajë. Kur numri i këtyre dëmtuesve të jetë i madh ato shkatërrojnë në tërësi fasulen. Ky dëmtues prek edhe sistemin rrënjor të fasules si rezultat i së cilës e tërë bima thahet. Brenda vitit formon një gjeneratë.

Masat e luftimit

Nga masat agroteknike rol të rëndësishëm luan qarkullimi bimor ku në sipërfaqet e mbjellura me fasule për tri vite me radhë të kultivohen bimë tjera nga familja e bishtajoreve, pastaj eliminimi i mbeturinave bimore etj.

Aplikimi i preparateve kimike arsyetohet kur të jetë dëmtuar rreth 10 % e sipërfaqes së gjethit apo kur të jenë konstatuar 2-3 insekte të rritura/ m 2 .

Luftimi kimik bëhet me insekticide sikurse janë: Zolone, Fastac, Talstar, etj.

Dëmtuesit e tjerë të cilët prekin fasulen por me intensitet më të vogël janë:

  • Krimbi i murrmë (Agrotis spp.),
  • Morri i zi i pangjarit (Aphis fabae), etj.

 

 

Sëmundjet e FASULEs

Antraknoza e fasules (Colletotrichum lindemuthianum)

Shkaktari i sëmundjes është kërpudha C. lindemuthianum e cila është mjaft e përhapur edhe në vendin tonë, sidomos në vendet me reshje të shpeshta gjatë vegjetacionit. Simptomat e sëmundjes paraqiten në të gjitha pjesët mbitokësore të bimës. Më së shumti dëmtohen bishtajat në të cilat paraqiten njolla të ndryshme me ngjyrë të murrme në të kuqërremtë. Në fillim njollat janë të vogla, por më vonë zmadhohen, kanë formë kryesisht të rrumbullakët, me ngjyrë të zbehtë të kuqe ose të murrme të cilat janë të rrethuara me një zonë të kuqe ose të çelur të verdhë.

Shpeshherë këto njolla bashkohen dhe marrin formën e plagës me madhësi deri 10 mm. Në rast se infektohet rrënja kryesore atëherë tërë bima thahet. Në rast të infektimit të rëndë të bimëve të rritura në gjethe dhe në kërcell, shfaqen njolla dhe lezione të shpërndara me ngjyrë të murrme ose të zezë të cilat gjatë motit me lagështi kalben.

Përhapja e patogjenit bëhet me anë të ujit, erës etj. Farat në të cilat ndodhet kërpudha sëmuren dhe dështojnë në fazën e mbirjes. Dimërimi i kërpudhës sigurohet në farë dhe në mbeturinat bimore. Kërpudha ruan vitalitetin e sajë në afat deri dy vjet.

Masat e luftimit

Masë themelore mbrojtëse kundër patogjenit është mbjellja e farës së shëndoshë, zgjedhja e kultivarëve imun ndaj patogjenit, qarkullimi bimor, etj.

Nga preparatet kimike rekomandohen ato në bazë të bakrit, cinebit, etj.

Ndryshku i fasules (Uromyces apendiculatus)

Është sëmundje e përhapur në të gjitha vendet ku kultivohet fasulja duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme kësaj kulture. Ndryshku i fasules është më intensiv në vende me ajrosje të dobët, lagështi të lartë relative dhe më pak të ekspozuar me diell. Si rezultat i prekjes nga ky patogjen gjethet bien, bimët dëmtohen dhe nuk formojnë numër të mjaftueshëm bishtajash. Në faqe të gjethit në kuadër të këtyre njollave paraqiten organet e riprodhimit të kërpudhës përmes së cilave ajo shkakton infeksionin e bimëve të shëndosha gjatë tërëvegjetacionit. Këto organe e ruajnë vitalitetin për një kohë të gjatë në temperaturë të ulët.

Temperatura optimale për mbirjen e organeve të riprodhimit është 17-23 °C. Infektimi masiv i bimëve shkaktohet në lagështi të lartë relative dhe temperaturë optimale, ndërkaq burim infektimi janë mbeturinat bimore ku kërpudha gjindet në formë të organeve të riprodhimit.

Masat e luftimit

Rekomandohet qarkullimi bimorë, mbledhja dhe zhdukja e mbeturinave bimore për zvogëlimin e potencialit infektues të patogjenit, përdorimi i farës së shëndoshë dhe e dezinfektuar me fungicide. Nga preparatet kimike (fungicidet) rekomandohet ato në bazë të bakrit, squfurit, tiramit, etj.

Njollosja aureole e fasules (Pseudomonas phaseolicola)

Shkaktari i sëmundjes është bakteri Pseudomonas syringae pv. phaseolicola i cili është i përhapur në të gjitha vendet ku kultivohet fasulja.

Simptomat e sëmundjes shfaqen në gjethe dhe në bishtaja. Në gjethe njollat nekrotike janë të vogla me ngjyrë të mbyllët të cilat janë të rrethuara me një rreth (halo) ngjyrë të verdhë prej nga edhe sëmundja e ka marrë emrin.

Te infeksionet e rënda i tërë gjethi thahet dhe bie në tokë. Në bishtaja përafërsisht pas 6-8 ditëve pas infeksionit paraqiten njolla të vogla yndyrore. Këto njolla më vonë rriten, bashkohen duke përfshirë tërë bishtajën.

Infeksioni i kokrrave të fasules bëhet përmes mureve të bishtajës si dhe përmes indeve përçuese. Kokrrat e infektuara janë të rrudhosura dhe me ngjyrë të verdhë.

Kokrrat e infektuara të fasules si dhe mbeturinat e infektuara bimore janë burim i infeksionit. Përhapja e sëmundjes gjatë vegjetacionit bëhet përmes insekteve, erës dhe shiut. Me rastin e mbirjes së kokrrave të infektuara bakteri depërton në hipokotil prej nga kalon më vonë edhe në gjethe.

Masat e luftimit

Përdorimi i farës së shëndoshë paraqet masën kryesore në kuadër të masave mbrojtëse. Asgjësimi i mbeturinave bimore të infektuar dhe qarkullimi bimor katër vjeçar poashtu ndikojnë në zvogëlimin e infeksioneve me këtë sëmundje. Gjithashtu rol i veçantë i takon edhe kultivimit të kultivarëve imun ndaj bakterit.

Sëmundje tjera të fasules por me intensitet më të vogël janë:

  • Kalbëzimi i bardhë i fasules (Sclerotinia sclerotiorum),
  • Sëmundja bakteriale e fasules (Xanthomonas campestris phaseoli)
  • Sëmundjet virusale të fasules (virusi mozaik, virusi enacik),
Posted in BALLINA, Perime.